Policia e Kosovës ka pranuar të mërkurën shtatë dronë të dhuruar nga Shtetet e Bashkuara si pajisje që do t’i shërbejnë për misione vëzhguese dhe taktike.
Donacioni amerikan për Policinë e Kosovës vjen rreth tri javë pasi ajo u sulmua nga një grup i armatosur serbësh në fshatin Banjskë, në komunën e Zveçanit më 24 shtator.
Gjatë një ceremoni të nënshkrimit të donacionit në Prishtinë, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, tha se ndihma më e fundit e SHBA-së për institucionet e zbatimit të ligjit në Kosovë “pasqyron përkushtimin afatgjatë të tyre për zhvillimin e Policisë së Kosovës”.
“Duke e parë shkallën e aktiviteteve kriminale të grupeve të organizuara në rajon, këto mjete fluturuese pa pilotë do të jenë një burim jetik i organeve të zbatimit të ligjit në Kosovë për të luftuar veprimtarit kriminale në tokë dhe në ajër”, tha Hovenier, transmeton REL.
Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se Policia do të mundohet t’i përdorë dronët e dhuruar nga SHBA-ja në mënyrën më të mirë të mundshme për të forcuar siguri sa më të madhe për qytetarët e gjithë Kosovës.
.
.