Policia e Kosovës ka konfirmuar se Lidhja Demokratike e Kosovës ka raportuar një rast për kërcënim të kryetarit të saj Lumir Abdixhikut dhe disa prej deputetëve të kësaj partie.
Gjatë mbrëmjes së mërkurë u raportua se shërbimet partnere të Kosovës kanë arritur deri të një informacion se një grup tashmë i identifikuar po planifikonte atentat ndaj kryetarit të LDK-së.
Zëdhënësi i Policisë, Bajram Krasniqi, ka thënë për KOHËN se janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore lidhur me rastin në fjalë.
“Policia e Kosovës, në këtë rast drejtoria kompetente e PK-së, ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore lidhur me rastin/kanosjen në fjalë. Të gjitha veprimet e mëtejme policore do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, ka thënë ai.
Burime të mediumit kanë bërë të ditur se deputetët e LDK-së që kanë pranuar kërcënim përveç Abdixhikut janë Arben Gashi, Armend Zemaj dhe Avdullah Hoti.
Gjatë një paraqitje televizive, Nënkryetari i LDK-së, Kujtim Shala, e ka konfirmuar raportimin rreth planifikimit të një atentati ndaj kryetarit Abdixhiku. Shala tha se ky atentat që po planifikohej ka motive politike.