Pozicioni politik i Serbisë nuk ka qenë “kurrë më i rëndë”, ka deklaruar Presidenti serb Aleksandar Vuçiq.
Pas një takimi me ministren e Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, të enjten në Berlin, Vuçiq tha se situata në të cilën ndodhet Serbia, marrë parasysh krizën në Ukrainë, është “pothuajse e pamundur”.
Vuçiq tha se pozicioni i Serbisë shtë “komplikuar edhe më shumë” nga deklaratat e presidentit rus, Vladimir Putin, transmeton REL.
Por, ai nuk e specifikoi se cilave deklarata të Putinit iu referohet.
“Në ditën e tretë të sulmit në Ukrainë, ne e kemi bërë të ditur pozicionin tonë strategjik. Serbia është në të njëjtin pozicion edhe në ditën e 71-të”, u tha Vuçiq gazetarëve.
Serbia është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk ka ndërmarrë sanksione direkte kundër Rusisë pas fillimit të luftës në Ukrainë.