Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka uruar Kosovën në prag të shënimit të përvjetorit të 14-të të pavarësisë.
“Jemi të kënaqur që Kosova po vazhdon të ndërtojë dhe forcojë marrëdhëniet e saj pozitive me vendet fqinje dhe do të vazhdojmë të mbështesim përpjekjet tuaja drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë, të përqendruar në njohje reciproke”, tha Biden në letrën dërguar Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani.
Teksa uroi popullin e Kosovës për përvjetorin e pavarësisë, presidenti Biden tha Kosova në 14 vjetët e pavarësisë ka bërë përparim dhe është “shndërruar nga një demokraci e brishtë në një shtet të gatshëm për të ndarë përvojat e veta me botën”.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian i kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë t’i kthehen dialogut të ndërmjetësuar nga blloku evropian si dhe të zbatojnë marrëveshjet e arritura në këtë proces, që ka nisur më 2011.