Presidenti i Çekisë, Millosh Zeman, thotë se pushtimi i Ukrainës nga Rusia ka qenë “një dush i ftohtë” për të dhe shumë të tjerë që e kanë vlerësuar gabimisht Moskën dhe shton se presidenti rus, Vladimir Putin, duhet të përballet me një “gjykatë për krime lufte”.
Dikur kritik i sanksioneve ndërkombëtare kundër Rusisë, të shqiptuara për shkak të aneksimit të Gadishullit ukrainas të Krimesë, Zeman thotë se lufta e intensifikuar në Ukrainë “është me të vërtetë luftë kundër gjithë Perëndimit dhe demokracisë perëndimore”.
“Është një luftë kundër rendit botëror siç e njohim ne, dhe kjo ndikon te ne”, thotë Zeman në disa përgjigje me shkrim në pyetjet e Shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë.
Sipas Agjencisë për Refugjatë të Kombeve të Bashkuara, UNHCR, në Republikën Çeke kanë hyrë më shumë se 300,000 ukrainas që nga shpërthimi i luftës.
Zeman e cilëson reagimin e publikut çek si një “solidaritet të paprecedentë” dhe thotë se “pajtohet plotësisht” me kryeministrin çek, Petr Fiala, “për një qasje parimore ndaj Ukrainës”.