Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka kërkuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara që të përmbyll mandatin e UNMIK-ut.

“Ndërkohë që i falënderojmë për punën e tyre, ju inkurajojmë që ta përdorni buxhetin tuaj për çështje më të rëndësishme,” ka thënë Osmani të premten në Këshillin e Sigurimit.

Siç transmeton Koha.net, gjatë seancës kushtuar situatës në Kosovë, presidentja kosovare theksoi se Kosova është vend i pavarur dhe sovran dhe kjo është dëshmi se UNMIK-u e ka tejkaluar mandatin e vet dhe “është gjithashtu në kundërshtim me interpretimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë – një organ i OKB-së.”

Në një linjë me zonjën Osmani ka qenë edhe përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara në OKB.

“OKB-ja mund të luajë rol të rëndësishëm në rajon dhe kjo s’kërkon mision paqeruajtës në Kosovë. SHBA-ja shpreh zhgënjimin e saj që thirrjet e mëhershme në këtë Këshill s’janë dëgjuar. Ne kërkojmë që një plan i tillë të zhvillohet e që Këshilli ta mbyllë ngadalë UNMIK-un e të kemi prani tjetër të OKB-së që Kosova të realizojë potencialin e saj të plotë”, ka thënë ai.

Gjatë seancës ka folur edhe Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për zhvillimet në Kosovë, Zahir Tanin. Ai tha se nuk ka pranuar komunikim paraprak nga KFOR-i para zhvillimit të operacionit policor në Mitrovicën Veriore për vendosjen e masave për targat.

Duke folur për operacionin e Policisë së Kosovës kundër kontrabandës, Tanin tha se “është diskutabile nëse KFOR-i është njoftuar paraprakisht për dërgimin e njësive speciale.”

Ndërkohë, Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikola Selakoviq, deklaroi se “institucionet e përkohshme” në Kosovë kanë ndërmarrë hapa të njëanshëm.

“Veprime të tilla po ndërmerren çdo ditë nga Prishtina me ritëm të përshpejtuar dhe janë duke i shkelur marrëdhëniet e arritura nga dialogu në Bruksel,” është shprehur Selakoviq.  

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *