“I vetëdijshëm se nuk ka asgjë për t’iu ofruar votuesve të tij të cilët i ka mashtruar gjatë gjithë mandatit të tij, Kurti dëshiron të marrë poenë politikë në hartën e nacionalizmit”.

Lista Serbe ka reaguar pasi deputetët e saj janë penguar nga ata të Lëvizjes Vetëvendosje të futen në sallën e Kuvendit të Kosovës teksa po mbahej seancë plenare, teksa në reagimin e tyre thuhet se ky është “sulmi më i paprecedentë deri më tani”.

Në reagim potencohet se largimi i deputetëve të Listës Serbe “është disfatë e demokracisë dhe shtetit ligjor, por edhe shembulli më i mirë i pozitës së popullit serb në Kosovë nën regjimin” e kryeministrit kosovar Albin Kurti”.

“I vetëdijshëm se nuk ka asgjë për t’iu ofruar votuesve të tij të cilët i ka mashtruar gjatë gjithë mandatit të tij, Kurti dëshiron të marrë poenë politikë në hartën e nacionalizmit. Ne jemi krenarë që Kurti po na sulmon, sepse kjo konfirmon se po i qëndrojmë në rrugë, pasi Kurti po dëshiron dëbimin e serbëve”, pretendojnë Lista Serbe.

Tutje, në reagim pretendohet po ashtu se kryeministri Kurti po bën gjithçka “për të eliminuar Listën Serbe” dhe për të siguruar për vete serbët e dëgjueshëm që do të punojnë në interesin e tij, jo në interes të popullit serb.

“Kërkojmë të dënohet ashpër sulmi i sotëm ndaj anëtarëve të Listës Serbe, nga SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Italia, por edhe nga Bashkimi Evropian. Mbroni të drejtat e popullit serb dhe parandaloni Kurtin në persekutimin e çdo gjëje serbe, sepse Lista Serbe është zgjedhur nga populli serb në Kosovë”.

Ndryshe, deputetët e LVV-së nuk kanë dashur t’i lejojnë brenda sallës ata të Listës Serbe me arsyetimin nuk janë distancuar asnjëherë nga sulmet në veri dhe se ata po paraqiten në Kuvend vetëm për t’u nënshkruar që të sigurojnë pagën.

E kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka theksuar se deputetët serbë po vijnë në seancë për të provokuar.

“Ju drejtohem deputetëve të Listës Serbe që vinë e provokojnë në këtë mënyrë. E patoleroueshme në Kuvend kjo sjellje një herë 6 muaj me ardhë me keqpërdor para të taksapaguesve. Në anën tjetër e luftoni Kosovën me çdo mjet që keni. Shkoni i rrini gatitu shefit kriminel Radojiçiç”, tha ai.(Albanian Post)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *