Rusia do t’i kundërpërgjigjet veprimeve “jomiqësore” të vendeve perëndimore, ka deklaruar Presidenti rus Vladimit Putin.
“Në rast të vazhdimit të qëndrimit, dukshëm agresiv, të kolegëve tanë perëndimorë, ne do të ndërmarrim masa e duhura ushtarake-teknike”, tha Putini gjatë një takimi në Ministrinë e Mbrojtjes së Rusisë.
Putin për javë të tëra ka akuzuar Shtetet e Bashkuara dhe Aleancën Veri-Atlantike (NATO) se kanë nxitur rritjen e tensioneve në afërsi të kufijve të Rusisë, por këto janë deklaratat e para që lënë të kuptohet për një konflikt të mundshëm, transmeton REL.
Qeveritë perëndimore e kanë akuzuar Moskën se ka grumbulluar rreth 100,000 trupa pranë kufirit në lindje të Ukrainës, ku Kievi po lufton me separatistët pro-rusë që prej vitit 2014.
Rusia mohon se ka plane për ta pushtuar Ukrainën dhe po kërkon garanci të sigurisë nga SHBA-ja dhe NATO-ja, duke kërkuar që Aleanca të mos zgjerohet nga lindja.