Presidenti francez Emmanuel Macron ka deklaruar të martën se Presidenti rus Vladimir Putin e ka siguruar atë që nuk do të ketë përshkallëzim të situatës nga forcat ruse në kufirin me Ukrainën.
“Morra një sigurim se nuk do të ketë përkeqësim apo përshkallëzim,” i ka thënë gazetarëve Macron.
Siç transmeton BBC, megjithatë Rusia ka bërë me dije se asgjë nuk mund të jetë e garantuar.
Pas afër gjashtë orëve bisedë me presidentin rus, Macron të martën ka qëndruar në Kiev për të takuar Presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky.
Gjatë konferencës për media të martën, Macron tha se tani është shansi “të shtyhen përpara këto negociata” në mes të Rusisë dhe Ukrainës dhe që ai të sheh “zgjidhje konkrete” për uljen e tensioneve.
Ndërsa, Presidenti Zelensky i bëri thirrje Putinit që të ndërmarrë masa serioze për të ulur tensionet.
“Nuk iu besoj fjalëve, besoj se secili politikan mund të jetë i sinqetë duke ndërmarrë hapa konkret,” ka thënë Zelensky.
Tensionet mes Rusisë dhe Ukrainës po ndodhin afër tetë vite pasi Rusia me konflikt mori gadishullin jugor të Crimeas nga Ukraina.
Tani, rreth 100,000 trupa ushtarake ruse janë të vendosura rreth kufirit me Ukrainën, derisa Rusia ka mohuar çfardo plani për të pushtuar shtetin fqinj.