Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka njoftuar të martën mbrëma se nuk do të mbahet mbledhja e përbashkët e qeverisë shqiptare dhe asaj të Kosovës, e paraparë të mbahej të mërkurën në Gjakovë.
“E kam informuar kryeministrin Kurtin se në kushtet e agravimit të marrëdhënieve të Kosovës me krejt bashkësinë euroatlantike, ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar”, ka thënë Rama gjatë një konference për gazetarë.
“I kam kërkuar Albinit për t’u takuar nesër në Gjakovë në një format më të ngushtë, përkatësisht me Ministrat e Jashtëm dhe ata të Mbrojtjes, për të diskutuar lidhur me këtë situatë që po e çan në mënyrë dramatike Kosovën me bashkësinë euroatlantike. Nuk kemi patur dakordësi me Kurtin, ai ka kërkuar që mbledhja të kryhet dhe veç të diskutojmë dhe për këtë, por kjo s’është e mundur”, është shprehur Rama, transmeton RTSH.
Ndërsa arsyetoi vendimin e marrë, Rama tha se Shqipëria nuk operon e izoluar, teksa theksoi se “nuk ka asnjë shans” që të zhvendoset nga boshti i bashkësisë euroatlantike.
Edhe njëherë, Rama tha se nuk është dakord me vendimet e Kurtit për menaxhimin e situatës pas tensioneve në veri të Kosovës, duke shtuar se Shqipëria mbështet propozimet e aleatëve perëndimorë.
“Ne e kemi problem sepse Shqipëria nuk është një UFO, nuk operon e izoluar. Marrëdhënia e Shqipërisë me Kosovën është një marrëdhënie vëllazërie, por Shqipëria është një shtet, pjesë e pandashme e bashkësisë eurotalantike, është vend anëtar i NATO-s dhe nuk ka asnjë shans që Shqipëria të zhvendoset nga boshti i bashkësisë euroatlantike për të, nuk e di se çfarë, se për më tepër e kam thënë që ne mendojmë 100% siç mendojnë aleatët tanë në këtë rast. Kur disa prej partnerëve i thoshin Albinit mos i mbani zgjedhjet në veri, isha 100% me Albinin që zgjedhjet duheshin mbajtur sepse bojkoti i serbëve nuk mund të fitonte statusin e instrumentit fatal për Republikën e Kosovës. Por sot jo vetëm nuk ndajmë opinionin mbi mënyrën si po veprohet, por jemi 100% kundër mënyrës si po veprohet”, u shpreh Kryeministri i Shqipërisë.
I pyetur se çfarë do të ndodhë nëse Kurti nuk ndërron mendje dhe takimi nesër nuk zhvillohet, Rama tha se pasojat negative bien mbi Kosovën, teksa u kujdes të theksonte se marrëdhëniet vëllazërore mes dy vendeve nuk cenohen.
.
.
.