Një ndryshim i qasjes së BE-së në trajtimin më konkret të Ballkanit Perëndimor, duket se pritet në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm (2022), kur Franca do të jetë Kryesuese e BEsë

Nga Blerim Shala
www.klankosova.tv

Integrimi i gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian brenda një periudhe realiste kohore. Në këtë kontekst, fillimi i bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE para fundit të këtij vit (2021).

Zbrapsja e ndikimit të Rusisë dhe Kinës në këto anë të Evropës.

Arritja e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, e cila në variantin ideal do të kishte domethënien e njohjes reciproke.

Këto janë pikat kryesore të Dëshmisë së Gabriel Escobar-it, Zëvëndës-Asistent Sekretarit amerikan të shtetit, para Nënkomitetit për Evropë të Kongresit Amerikan.

Dita ditës po bëhet më e qartë që Escobar, në këtë pozitën që ka, e cila nënkupton edhe atë mandatin e Emisarit Special për Ballkanin Perëndimor të Administratës Amerikane (këtu ai ka trashëguar Matthew Palmer-in), është jo vetëm zyrtari amerikan më përgjegjës për këtë pjesë të Evropës, por edhe diplomati i cili ka për detyrë që ta artikulojë publikisht politikën amerikane ndaj Ballkanit Perëndimor.

Escobar është më i pranishëm në media, më i qartë, më i sakt, kur bëhet fjalë për Ballkanin Perëndimor, se thuaja të gjithë zyrtarët e BE-së që merren me këtë Ishull politik dhe gjeostrategjik të Evropës, të rrethuar në të katër anët me shtetet anëtare të BE-së dhe të Aleancës Veri-Atlantike.

Diçka e tillë, megjithatë, me siguri ka ndodhur, pos tjerash, edhe në një bashkërenditje në mes të Gabriel Escobar-it dhe Miroslav Lajčak-ut, Përfaqësuesit Special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi por edhe për çështjet tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor (siç është emërtimi zyrtar i tij në Vendimin e Këshillit Evropian).

Lajčak e di mirë që porositë e Escobar-it dhe të Administratës Amerikane në përgjithësi, përcjellen me vëmendje në Prishtinë, Tiranë, Sarajevë, Shkup, Podgoricë dhe Beograd, teksa atij vet i duhet përkrahja e Washingtonit, jo vetëm në anën operacionale të ushtrimit të detyrës së tij, por edhe kur bëhet fjalë për përmbajtjen e Marrëveshjes Ligjësisht Obligative në mes të Kosovës dhe Serbisë, për menaxhimin e krizave të kohëpaskohshme në raportet e Kosovës dhe Serbisë (siç ishte rasti pak javë më parë me temën e targave), dhe më në fund, edhe për të mbajtur gjallë shpresën që gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, do të integrohen në BE.

Lajčak, në mungesë të një Plani të qartë të BE-së për zgjerimin e vet kah Ballkani Perëndimor, e ka shumë të vështirë, në mos edhe të pamundur që të shtyjë para Udhëheqësinë e Serbisë për të bërë Marrëveshje me Autoritetet e Kosovës. Një ndryshim i qasjes së BE-së në trajtimin më konkret të Ballkanit Perëndimor, duket se pritet në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm (2022), kur Franca do të jetë Kryesuese e BEsë.

Escobar, në anën tjetër, edhe në intervistat e tij për media, megjithë dykuptimësive të rëndomta diplomatike, ka porosi të qarta në vlerësimin e gjendjes së tanishme në rajon, dhe në përshkrimin e situatave konkrete në raportet e SHBA-së me shtetet e veçanta të Ballkanit Perëndimor.

Pak ditë më parë, në pyetjen e Al Jazeera-s për Ballkan, se si i vlerëson marrëdhëniet e SHBA-së me Serbinë, Escobar u përgjigj në këtë mënyrë: Këto raporte nuk janë të këqija dhe as të mira, por janë të ndërlikuara.

Edhe pse siç u theksua tashmë, Escobar ka një stil të mirëfilltë diplomatik, i cili ia di peshën dhe vlerën çdo fjale të thënë, në këtë rast, definimi i raporteve SHBA – Serbi si ’të ndërlikuara’, duke iu shmangur cilësimeve kategorike (si të mira apo të këqija), është një diagnostifikim shumë i qëlluar i marrëdhënieve të Washingtonit dhe Beogradit.

Këtë e di zatën fare mirë edhe vet Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić.

Në këtë kontekst, duket që lideri serb do ta ketë gjithnjë e më vështirë të luajë në disa letra politike ndërkombëtare, duke i përdorur ato, midis tjerash, në fuqizimin e pozicionit të vet negociator si në bisedimet e Brukselit me instancat më të larta të Kosovës, ashtu edhe në negociatat me autoritetet e BE-së për integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.

Vučić njëkohësisht synon që Serbia të bëhet pjesë përbërëse e BE-së, të ketë marrëdhënie të mira me SHBA-në, të ruajë miqësinë politike me Rusinë e Vladimir Putinit, dhe bashkëpunimin ekonomik me Kinën e Xi Jinping-ut.

Vučić pak a shumë ju thotë bashkëbiseduesve të tij evropianë dhe amerikanë që do të përcaktohet seriozisht dhe qartë sa i përket prioriteteve të tij të jashtme, atëherë kur Brukseli (BE-ja), jap shenja serioze dhe të qarta se kur Serbia do të mund të hyjë në Bashkimin Evropian, gjë që do të mund të nënkuptonte edhe zvogëlimin e rolit të Rusisë dhe të Kinës në Serbi.

Megjithatë, duket që ’Rregullat e lojës’ në këtë aspekt mund të ndryshojnë së shpejti, veçmas me qasjen aktuale të Administratës Amerikane të Presidentit Biden. Pra, do të mund të aplikohej një qasje e anasjelltë me atë për të cilën flet lideri i Serbisë: Pa treguar Serbia që e ka seriozisht në zvogëlimin e ndikimit të Rusisë dhe të Kinës, dhe pa dëshmuar në mënyrën më serioze të mundshme që dëshiron të kontribojë në stabilitetin rajonal (dhe jo anasjelltas, si qëndrojnë punët tash e një kohë), nuk mund të jetë ofertë të mirëfilltë të Brukselit për integrim në BE.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *