Për herë të parë, raportet e Parlamentit Evropian për Kosovën dhe Serbinë e theksojnë se marrëveshja përfundimtare mes dy vendeve duhet të bazohet në njohje reciproke.
“Raporti e sqaron nevojën e normalizimit të marrëdhënieve bazuar në njohje të ndërsjellë. Ky është prioritet dhe parakusht për hyrjen në Bashkim Evropian për të dyja vendet”, ka thënë Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.
Siç transmeton Klan Kosova, Von Cramon tha se në dialogun ndërmjet qeverive në Prishtinë dhe Beograd nuk pati angazhim serioz dhe se kjo bëri që ujditë e arritura të vihen në pikëpyetje.
Ajo gjithashtu tha se Kosova ka mbështetje të plotë për të hyrë në Këshillin e Evropës, por jo edhe që të aplikojë për të marrë statusin e vendit kandidat për në BE, pasi ende nuk është larguar qasja bllokuese e pesë shteteve mosnjohëse.