Muzicienti i njohur anglez, ylli i grupit Pink Floyd, Roger Waters, ka mbajtur një fjalim para ambasadorëve në Kombet e Bashkuara ku ka dënuar pushtimin e Ukrainës nga Rusia, por ka dënuar edhe “provokatorët” që sipas tij kanë nxitur këtë luftë.
Rogers mbajti fjalim në Këshillin e Sigurimit përmes video-lidhjes, me ftesë të Rusisë.
“Pushtimi i Ukrainës nga Federata Ruse ishte i jashtëligjshëm. E dënoj me qëndrimin më të ashpër të mundshëm,” është shprehur Waters.
“Gjithashtu, pushtimi i Ukrainës nga Rusia nuk ishte i paprovokuar, kështu që unë dënoj edhe provokuesit me qëndrimin më të ashpër të mundshëm.”
Waters më tutje tha se flet në emër të “katër miliardë vëllezërve dhe motrave”, duke iu referuar një shumice të popullsisë së botës.
“Qfarë kanë për të thënë miliona zëra të padëgjuar? Ata thonë falëmnderit që po na dëgjoni sot. Ne jemi shumë të cilët nuk kemi hise në përfitimet e industrisë së luftës.
“Në opinionin tonë, drejtimi i vetëm i arsyeshëm sot është të thirret për një armëpushim të menjëhershëm në Ukrainë. As edhe një jetë e ukrainasve apo rusëve të mos humbet, as edhe një, janë të gjithë të vlefshëm në sytë tanë.”
Pas fjalimit të Waters, ambasadori rus në Kombet e Bashkuara, Vasily Nebenzya, e komplimentoi fjalimin e muzicientit si “analizë shumë e saktë e ngjarjeve” dhe përsëriti bindjen se Perëndimi është duke bërë luftë kundër vendit të tij.
Ndërsa, ambasadori amerikan Richard Mills deklaroi: “”Unë sigurisht e pranoj se ai ka kredenciale mbresëlënëse si një muzicient. Kualifikimet e tij për të folur me ne si ekspert për kontrollin e armëve ose çështjet e sigurisë evropiane më duken më pak evidente.”
Ndërkohë, duke kujtuar këngën e famshme të Pink Floyd, “Another Brick in The Wall”, ambasadori ukrainas Sergiy Kyslytsya e quajti fjalimin e Waters “një tjetër tullë në mur” të dezinformimit rus. / BBC News /