Rusia ka filluar sulmet ushtarake ndaj Ukrainës gjatë orëve të hershme të mëngjesit të së enjtes.
Ministri i Jashtëm ukrainas ka deklaruar se ‘Rusia ka filluar pushtimin e tërësishëm të vendit’, duke thënë se qytetet janë duke u bombarduar.
“Bota mund dhe duhet ta ndal Putinin. Koha për të vepruar është tani”, ka bërë thirrje Dmytro Kuleba.
Siç transmeton CNN, ekipet e gazetarëve në kryeqytetin ukrainas Kiev kanë dëgjuar eksplodime afër qytetit.
Një foto e publikuar nga zyra e Presidentit të Ukrainës tregon një eksplodim në një pjesë të kryeqytetit gjatë mëngjesit të së enjtes.
Ndërsa, ushtria ruse ka lëshuar deklaratë të enjten duke thënë se nuk janë duke u kryer sulme në pjesë civile të qyteteve por që janë duke u targetuar infrastrktura ushtarake ukrainase.
“Forcat e Armatosura të Rusisë nuk po sulmojnë me artileri apo raketa qytetet në Ukrainë. Armët me saktësi të lartë po shkatërrojnë infrastrukturën ushtarake: fushat ushtarake, aviacionin dhe pajisjet për mbrojtje nga ajri të Forcave të Armatosura të Ukrainës,” thuhet në deklaratë.
“Popullsia civile nuk është në rrezik,” thuhet më tutje në njoftim.