Bombardimet e Rusisë dhe bllokimi i porteve në Ukrainë po pamundësojnë transportimin e grurit dhe kështu po provokohet uria në botë, ka paralajmëruar Bashkimi Evropian.
Kryediplomati evropian Josep Borrell deklaroi të hënën se është duke u krijuar valë tronditëse në kohën kur ekonomia globale veçse po përballet me pasojat e pandemisë së koronavirusit.
“Ata po shkaktojnë mungesa. Ata janë duke bombarduar qytetet ukrainase dhe janë duke provokuar uri në botë. Ata janë duke provokuar uri në botën tonë”, u ka Borrell gazetarëve, pas takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së në Luksemburg, transmeton REL.
Paralajmërimet e Borrellit rrisin shqetësimet e theksuara në raportin e Bankës Botërore, në të cilin është thënë se prodhimi ekonomik në Ukrainë pritet të tkurret për 45 për qind dhe se kjo ulje do të varet nga “gjatësia dhe intensiteti i luftës”.
Gjithashtu, Banka Botërore ka thënë se parasheh që ekonomia e Rusisë do të tkurret për 11 për qind këtë vit, si pasojë e sanksioneve.