Moska synon të marrë nën kontroll të gjithë Ukrainën jugore dhe lindore, ka deklaruar një gjeneral rus.
Agjencitë shtetërore ruse të lajmeve cituan zëvendëskomandantin e qarkut ushtarak qendror të Rusisë, gjeneralin Rustam Minnekayev të thoshte se Moska synonte të merrte Donbasin, ta lidhte me gadishullin e Krimesë dhe të merrte nën kontroll të gjithë jugun e Ukrainës deri tek një rajon separatist i Moldavisë i pushtuar nga Rusia.
“Ata tani e thanë hapur”, tha ministria e mbrojtjes e Ukrainës në Twitter, duke shtuar se Rusia “e ka pranuar se synimi i ‘fazës së dytë’ të luftës nuk është fitorja mbi ‘nazistët’, por thjesht pushtimi i Ukrainës lindore dhe jugore”, transmeton VOA.
Presidenti rus Vladimir Putin më parë kishte thënë se Rusia nuk kishte ndërmend të pushtonte përgjithmonë qytetet ukrainase.
Rusia aneksoi Krimenë në vitin 2014, një veprim që u dënua gjerësisht nga komuniteti ndërkombëtar.