Serbia vazhdon të mos bëhet pjesë e sanksioneve evropiane ndaj Rusisë dhe kjo ka rritur presionin e bllokut evropian ndaj vendit ballkanik.
Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, shtetet e Bashkimit Evropian kanë kërkuar që vendet e Ballkanit Perëndimor t’i bashkohen sanksioneve kundër Rusisë, por një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur nga Serbia.
Ky qëndrim i Serbisë ka rritur zemërimin e disa vendeve anëtare të BE-së, transmeton REL.
Për pasojë, thonë disa burime diplomatike në Bruksel, “praktikisht është ngrirë edhe procesi i negociatave të anëtarësimit të Serbisë në BE”.
Kjo dëshmohet edhe me faktin se, për më shumë se një vit, Serbia nuk ka hapur apo mbyllur asnjë kapitull në procesin e negociatave. Për hapjen apo mbylljen e tyre duhet pajtim i të gjitha vendeve anëtare të BE-së. Dhe, disa vende, thonë diplomatët, “nuk duan që Serbia të shpërblehet me vazhdimin e procesit të anëtarësimit në BE, sikur të mos ketë ndodhur asgjë“.
Edhe Parlamenti Evropian, përmes një rezolute për strategjinë e re të zgjerimit, ka kërkuar që të kushtëzohen negociatat e anëtarësimit të Serbisë në BE me mbështetjen e sanksioneve kundër Rusisë.
Zhgënjimi i disa vendeve të BE-së me Serbinë pritet të jetë edhe më i qartë në disa konkluza që do të miratohen për procesin e zgjerimit dhe të stabilizim-asociimit, më 13 dhjetor, nga Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të BE-së.
Lexo më shumë këtu