Gjermania do t’i kërkoj Serbisë njohjen e Kosovës gjatë procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ka deklaruar i dërguari i posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.
Ai tha se ky është qëndrimi i qartë i Gjermanisë karshi kësaj çështje.
“Ne, nga Gjermania, kemi pasur gjithmonë qëndrim shumë të qartë për këtë çështje – para përfundimit të procesit të normalizimit të marrëdhënieve, kur Serbia të vendosë për anëtarësim në BE, njohja e Kosovës do të jetë pjesë e procesit”, tha Sarrazin për gazetën serbe Nova, transmeton REL.
Ai shtoi se një gjë e tillë “është diçka që Gjermania gjithsesi e pret”, dhe se “kjo është shprehur qartë nga kancelari Olaf Scholz gjatë vizitës së tij në Serbi, në qershor të vitit të kaluar”.
Sarrazin tha se BE-ja është udhëheqësja e negociatave ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, dhe se është e domosdoshme që palët të arrijnë marrëveshje sa më shpejt që është e mundur.