Kosova nuk do të rifilloj dialogun me Serbinë pa zhvilluar dialog brenda parlamentit të vendit, ka thënë Kryeministri Albin Kurti.
“Ne nuk jemi Qeveri e cila zhvillon dialog me Serbinë pa e bërë dialogun në Kuvendin e Republikës”, tha Kurti të premten pas miratimit të programit qeverisës.
Në një konferencë për media, Kurti dha detaje për çasjen e qeverisë ndaj dialogut me Serbinë.
“E para është diskutimi i brendshëm me opozitë e edhe një lloj radiografie e gjendjes së dialogut në raport me Serbinë, përkitazi me procesin e deritashëm dhe marrëveshjet e arritura”.
Kurti theksoi se programi qeverisës do të diskutohet në Kuvend, derisa ka paralajmëruar që gjatë këtij muaji do të zhvilloj takime me partitë opozitare.
“Përgatitjet tona nuk i shohim vetëm si listë fituese, por i shohim si zyrtarë, si përfaqësues, si krerë shtetërorë të cilët janë të përgjegjshëm, por edhe e kanë detyrë që të krijojnë konsensus nacional për një çështje kaq të rëndësishme”, ka thënë Kurti, transmeton KOHA.