Objektivi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe e qëndrueshme, ka deklaurar të mërkurën Kancelari gjerman Olaf Scholz.
Pas takimit me Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, kancelari gjerman tha se ka inkurajuar Kurtin për konstruktivitet në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
“Objektivi i dialogut të Brukselit është një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e qëndrueshme midis dy vendeve që u hap të dyja vendeve perspektivën e Bashkimit Evropian dhe kontribuon për stabilitetin rajonal”, tha Scholz, transmeton REL.
Ndërkaq, kryeministri Kurti tha se Qeveria që ai udhëheq është duke u përfshirë në dialog në mënyrë proaktive dhe konstruktive.
“Pikëpamja dhe bindja jonë është që njohja reciproke të jetë në qendër, e jo në fund”, tha Kurti duke iu referuar një marrëveshjeje me Serbinë që do të dilte si rezultat i dialogut të Brukselit.
Scholz paralajmëroi se së shpejti do të vizitoj Prishtinën, derisa në gjysmën e dytë të vitit pritet të ketë edhe një ftesë për Kurtin për një takim tjetër në Berlin.