Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka bërë të ditur se atij i është bërë një propozim nga Franca dhe Gjermania për t’i lehtësuar rrugën Serbisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian në këmbim që vendi i tij të mos jetë pengesë për Kosovën drejt anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare.

Megjithatë, Vuçiq deklaroi se nuk ekziston një vullnet në Serbi që një propozim i tillë të pranohet tani.

“Nuk ka vullnet në këtë moment, kam biseduar me kryeministren, nuk ka vullnet në lidershipin serb, ndërsa deri sa unë jam president, të paktën në atë pjesë të pushtetit ekzekutiv, nuk do të ketë vullnet për të pranuar pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara”, ka deklaruar Vuçiq para gazetarëve, transmeton KOHA.

Ky propozim nga shteti francez dhe ai gjerman, sipas Vuçiqit është presion që po ua vështirëson situatën serbëve porse u shpreh se nuk do të ndalen së luftuari.

Presidenti serb gjithashtu tha se temat në kuadër të dialogut për normalizim të marrëdhënieve po i diktojnë shqiptarët e Kosovës. Ai tha se nuk është i njoftuar nëse së shpejti do të këtë ndonjë takim me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të procesit të dialogut.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *