Presidenti amerikan, Donald Trump, tha të premten se Shtetet e Bashkuara po i japin fund bashkëpunimit me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, për shkak të pandemisë së koronavirusit.
“Sepse kanë dështuar të bëjnë reformat e kërkuara dhe shumë të nevojshme, ne sot do i japim fund marrëdhënieve tona me Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe do t’i kthejmë fondet drejtë nevojave më urgjente dhe më me meritë në shëndetin global publik,” tha Trump.
Në paraqitjen e tij në Kopshtin e Trëndafilave, Trump e lidhi OBSH-në ngushtë me Kinën, nga e kishte origjinën koronavirusi.
Ai tha se zyrtarët kinezë “injoruan detyrimet e tyre të raportimit” në OBSH në lidhje me virusin dhe i bëri presion OBSH që të “mashtrojë botën” kur virusi u zbulua për herë të parë nga autoritetet kineze.