Shtetet e Bashkuara kanë dhuruar edhe 1 miliardë dollarë ndihmë të radhës për Ukrainën, dërgesë kjo ushtarake më e madhja deri tani.
Kjo do të jetë dërgesa më e madhe deri më tani e raketave, municioneve dhe armëve të tjera që do të dërgohet direkt nga depot e Departamentit të Mbrojtjes tek forcat ukrainase, transmeton VOA.
Ndihma përfshin raketa shtesë për Sistemet e Raketave të Artilerisë me Lëvizshmëri të Lartë, “HIMARS”, si dhe mijëra municione të tjera artilerie, sisteme mortajash, raketahedhës “Javelins” dhe pajisje të tjera.
Deri më tani, ndihma më e madhe ushtarake për Kievin ishte njoftuar më 15 qershor dhe përfshinte rreth 1 miliard dollarë. Por kjo ndihmë përfshinte 350 milionë dollarë të autorizuar nga presidenti dhe 650 milionë dollarë të tjera që ishin në kuadër të Iniciativës së Ndihmës në fushën e Sigurisë për Ukrainën.
“Në çdo fazë të këtij konflikti, ne kemi qenë të përqëndruar në përmbushjen e nevojave të forcave ukrainase, në varësi të kushteve në fushën e betejës”, tha Colin Kahl, nënsekretar i mbrojtjes për politikat, në njoftimin e ndihmës së re ushtarake për Ukrainën.