Shtetet e Bashkuara nuk presin që në një të ardhme të afërt të ketë një dialog të nivelit të lartë me Rusinë.

Pas bisedës së shkurtër që patën Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov në takimin e diplomatëve të G20-ës në Indi, Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price ka thënë se nuk ka patur ndonjë pajtim për diskutime të mëtutujeshme.

“Nuk kishte asnjë marrëveshje apo konsensus nga ai takim i shkurtër për ndonjë lloj diskutimi pasues”, tha Price, transmeton VOA.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken i tha ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov që t’i jepte fund luftës në Ukrainë dhe i kërkoi Moskës ta anulonte vendimin për t’u tërhequr nga traktati për kontrollin e armëve bërthamore, START, tha një zyrtar i lartë amerikan.

Ministria e Jashtme ruse tha se zoti Lavrov dhe zoti Blinken biseduan për këtë çështje për më pak se 10 minuta në fund të seancës me dyer të mbyllura dhe nuk u angazhuan në asnjë lloj negociatash, njoftuan agjencitë ruse të lajmeve.

Sekretari i Shtetit Blinken tha më vonë në një konferencë shtypi se i kishte thënë zotit Lavrov që të angazhohej në gjetjen e zgjidhjeve diplomatike gjatë takimit të tyre të paplanifikuar në Indi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *