Dy ish-deputetë të Parlamentit të Serbisë janë sanksinuar nga Shtetet e Bashkuara për përfshirje në korrupsion dhe frikësim të dëshmitarëve.

Në një njoftim të Departamentit amerikan të Shtetit thuhet se “ndërsa shërbenin në Parlamentin e Serbisë, Verisa Radeta dhe Petar Jojiç u dhanë ryshfet dhe frikësuan dëshmitarët që duhej të paraqiteshin para Gjykatës Ndërkombëtare për krimet e luftës në ish Jugosllavi, për t’i bindur ata që të heqin dorë nga ofrimi i provave rënduese kundër udhëheqësit të Partisë Radikale Serbe, Vojislav Sheshel, i cili më pas u dënua për krime lufte.”

“Veprimet e tyre ndërhynë në proceset gjyqësore, duke bërë që Gjykata e Hagës të lëshojë urdhër arreste ndërkombëtare për shpërfillje, duke kërcënuar qëndrueshmërinë rajonale dhe duke ndikuar negativisht në interesat kombëtare të Shteteve të Bashkuara”, thuhet në njoftim, transmeton VOA.

Departamenti i Shtetit tha se sanksionet riafirmojnë angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të luftuar korrupsionin, i cili dëmton interesin publik, pengon përparimin ekonomik të partnerëve dhe pakëson aftësinë e qeverive për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive nevojave të qytetarëve të tyre.

Gjykata e Hagës për krime lufte në ish Jugosllavi lëshoi një urdhër për arrestimin ish deputetëve Radeta dhe Jojiç në janar të vitit 2015. Por Dhoma e Krimeve të Luftës në Gjykatën e Lartë në Beograd vendosi se nuk ka bazë ligjore për ekstradimin e tyre, sepse siç u tha, Ligji për Bashkëpunim me Gjykatën e Hagës parasheh detyrimin për ekstradimin e të akuzuarve për krime lufte dhe jo të atyerq ë janë të akuzuar për shpërfillje të gjykatës.

Gjykata më pas lëshoi një urdhër arresti ndërkombëtar meqë Serbia disa herë refuzoi zbatimin e urdhrit të saj. Madje Gjykata raportoi disa herë edhe në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për mosbashkëpunimin e Serbisë.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, deklaroi në prill të vitit 2021 se Serbia nuk do të ekstradojë zyrtarët e Partisë Radikale Serbe, pjesë e së cilës kishte qenë edhe vet dikur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *