Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës numri i të vdekurve nga Covid-19 ka arritur mbi 500,000.
“Sot ne shënojmë një moment me të vërtetë të zymtë, pikëllues – 500.071 të vdekur. Janë më shumë amerikanë që kanë vdekur brenda një viti në këtë pandemi sesa në Luftën e Parë Botërore, në Luftën e Dytë Botërore dhe në Luftën e Vietnamit së bashku”, ka thënë Presidenti Joe Biden duke bërë thirrje që në gjithë vendin të mbahet një minutë heshtje.
Biden ka urdhëruar që të gjithë flamujt në pronat federale dhe objektet ushtarake të ulen në gjysmë shtize për pesë ditët e ardhshme, transmeton Zëri i Amerikës.
“Si vend, ne nuk mund ta pranojmë një fat kaq të egër. Edhe pse e kemi luftuar këtë pandemi për kaq kohë, ne duhet të rezistojmë dhe të mos bëhemi të pandjeshëm ndaj trishtimit,” tha Biden.
Numri i të vdekurve në SHBA nga koronavirusi është deri tani më i larti në botë dhe shifra mund të jetë edhe më e lartë.