Shtetasit amerikanë që gjenden në Ukrainë ‘duhet të largohen menjëherë’ nga vendi për shkak të rrezikut të shpërthimit të luftës me Rusinë.
Kjo është thirrja që Departamenti amerikan i Shtetit ka drejtuar për shtetasit amerikanë që gjenden në Ukrainë, derisa ka bërë thirrje gjithashtu që të mos shkohet në këtë vend.
“Qytetarët amerikanë duhet të largohen tani. Kemi të bëjmë me një nga ushtritë më të mëdha në botë. Situata ka ndryshuar dhe ngjarjet mund të precipitojnë me shpejtësi”, ka deklaruar Presidenti amerikan Joe Biden gjatë një interviste për NBC, transmeton VOA.
I pyetur nëse kishte një skenar të mundshëm që mund ta bënte atë të dërgonte trupa për të shpëtuar amerikanët që po lënë vendin, zoti Biden u përgjigj:
“Nuk ka. Do të ishte luftë botërore nëse amerikanët dhe Rusia fillojnë të hapin zjarr ndaj njëri-tjetrit. Jemi në një botë më të ndryshme nga ç’kemi parë ndonjëherë më parë”, tha ai.