Gjatë vitit 2021 është shënuar rekord i vlerës së remitencave në Kosovë.
Sipas të dhënave të Bankës Qendrore, nga muaji janar deri në muajin tetor të këtij viti vlera e remitencave në Kosovë ka arritur në 955 milionë euro apo 160 milionë euro më shumë se vitin 2020.
Përveç remitencave, shpenzimet e jorezidentëve në Kosovë, pjesa më e madhe e të cilave janë nga diaspora, ishin në shumë prej 1.33 miliard euro, e cila paraqet rritje prej 151 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, transmeton REL.
“Lehtësimi i masave kundër koronavirusit, si në Kosovë dhe jashtë saj, bëri që viti 2021 të jetë një vit i suksesshëm, duke pasur parasysh ardhjen masive të diasporës gjatë verës”, ka thënë guvernatori i Bankës Qendrore, Fehmi Mehmeti.
Numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, deri në fund të vitit 2018, vlerësohet të jetë më shumë se 850 mijë banorë.