Shefi i Shërbimit Informativ shqiptar ka konfirmuar se në Shqipëri ka veprimtari të shërbimeve të intelegjencës nga vende jomiqësore.

Në raportimin e tij në Komisionin për Sigurinë Kombëtare të Kuvendit, Helidon Bendo theksoi se ka një rritje të aktivitetit inteligjent hibrid nga këto shërbime në Shqipëri.

“Këto shtete e shërbime jomiqësore me Shqipërinë, përdorin aktivitetet klasike dhe hibride për realizimin e synimeve të tyre”, ka deklaruar Bendo, transmeton Lapsi.al.

“Në veprimtaritë e spiunazhit, ato përdorin një kombinim të metodave të mbyllura dhe të hapura, konvencionale (klasike) dhe jo konvencionale që përfshijnë propagandën, dezinformimin, sulmet kibernetike, grumbullimin e informacionit sensitiv nëpërmjet ndërhyrjes në rrjetet kompjuterike, për qëllime spiunazhi kibernetik, për të realizuar aktivitete/operacione influence informative dhe psikologjike”, deklaroi mes të tjerash Bendo në raportimin e tij për veprimtarinë e SHISH-it për vitin 2021.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *