Një operacion i urdhëruar nga Prokuroria e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar (SPAK) ka patur në shënjestër 8 grupe kriminale shqiptare dhe në listën e të kërkuarve janë 32 figura të botës së krimit.
Grupet e goditura vepronin kryesisht në Elbasan, por dhe në Tiranë e Durrës. Mes të arrestuarve është dhe një punonjës policie.
Sipas SPAK, këto grupe dyshohet se qëndrojnë prapa disa vrasjeve, tentativave për vrasje, vjedhjeve me dhunë dhe armë, veprave të dhunshme, apo shkatërrim prone me lëndë plasëse, të kryera që nga viti 2011 deri vitin e kaluar.
Drejtuesi i SPAK Arben Kraja dhe drejtori i Përgjithshëm i policisë Gledis Nano bënë të ditur se ishin ekzekutuar 18 urdhëra arresti, nga të cilët 9 ishin në burg që më herët për çështje të tjera, transmeton VOA.
14 personat e tjerë, mes tyre dhe emrat e figurave kryesore si Elvis Martinaj, Suel Çela, Talo Çela apo Kamer Mehja, e Florenc Çapja, janë në kërkim.
Gjatë operacionit të së enjtes është ushtruar kontroll edhe në banesat dhe pronat e 28 personave, ku “janë sekuestruar 3 armë zjarri (2 kallashnikovë dhe 1 pistoletë), 2 antiplumb si ato që përdor Policia e Shtetit, municion luftarak, rreth 17 mijë euro, aparate celulare, fatura bankare, automjete dhe sende të tjera të përfituara nga veprimtaria kriminale”, njoftoi drejtori i Policisë, Nano.