Një hekurudhë nga Durrësi në Prishtinë është e përfshirë në marrëveshjet e nënshkruara nga Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe Kryeministri i Kosovës Albin Kurti.
“Do të nënvizoja Marrëveshjen e bërë për të filluar menjëherë nga puna për studimin e fizibilitetit të hekurudhës Durrës-Prishtinë,” ka thënë Rama pas takimit të dy qeverive.
Takimi i së premtes shënon takimin e shtatë ndërmjet qeverive të dy vendeve dhe të parin të këtij lloji ndërmjet Ramës dhe Kurtit.
Delegacionet kanë nënshkruar disa marrëveshje, derisa në fokus ishte lehtësimi i qarkullimit të qytetarëve nga të dyja vendet.
Siç transmeton Top Channel, kur është pyetur rreth nismës “Ballkani i Hapur” në të cilën nuk bënë pjesë Kosova, kryeministri Rama ka thënë se kjo nuk do të jetë pengesë për bashkëpunimin mes dy vendeve.
“Kur të vijë dita që të jemi shqiponjë me një kokë, rreziku është që të kafshojmë veten më shumë se sa sot që nuk e kemi këtë luks e nuk e kemi as këtë qëllim,” është shprehur Rama.
Ndërkohë, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se çështja e bashkimit të shqiptarëve është “më shumë një moskuptim sesa keqkuptim”.
“Nuk është diçka që e zgjedhim apo përzgjedhim, është një intencë kolektive që na zgjedh ose përzgjedh neve. Nuk mund të vendosemi ne mbi këto proces historike e të përcaktojmë data e mënyra,” ka thënë Kurti.