Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka njoftuar se ka zhvilluar bisedë me Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe me Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti për gjendjen në veriun e Kosovës.

Përmes Twitter, Stoltenberg ka njoftuar se ka biseduar me dy liderët “për situatën e tensionuar në veri të Kosovës”.

“U kërkova të dyve që të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm që mund të nxis përshkallëzim. Dialogu është e vetmja rrugë përpara”, ka shkruar Stoltenberg.

Ai tha se NATO dhe KFOR-i mbeten vigjilent për situatën atje.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë përsëritur thirrjet për ruajtjen e qetësisë në Kosovë, si dhe që të shmanget eskalimi i tensioneve të krijuara.

Dy ditë më parë, përfaqësuesit e serbëve në Kosovë ofruan dorëheqjen nga institucionet, nga Gjyqësori, Policia, si dhe nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës.

Largimet ndodhën pasi Qeveria e Kosovës më 1 nëntor nisi zbatimin e planit prej tri fazash për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia në ato RKS (Republika e Kosovës).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *