Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka dhënë paralajmërimin se gjatë javës së ardhshme mund të merret vendimi për shtimin e forcave ushtarake të aleancës në juglindje të Evropës.

Pas takimit me Kryeministrin britanik Boris Johnson, Stoltenberg tha se NATO ka të drejtën për të mbrojtur aleatët e vet.

“NATO nuk do të bëjë kompromis për parimet themelore – e drejta e çdo vendi që të zgjedhë rrugën e vet dhe e drejta e NATO-s për të mbrojtur të gjithë aleatët”, tha Stotlenberg nga Brukseli, transmeton VOA.

Nga ana e tij zoti Johnson theksoi angazhimin e Mbretërisë së Bashkuar për sigurinë evropiane.

“Përkushtimi i Mbretësisë së Bashkuar për sigurinë evropiane është i pakushtëzuar dhe i pandryshueshëm. Ne kemi buxhetin më të madh të mbrojtjes në Evropë dhe të dytin më të madh në NATO”, tha zoti Johnson.

Duke nënvizuar shkallën e rrezikut të tensioneve në rritje, ai tha se është pajtuar me zotin Stoltenberg për një paketë mbështetjeje për forcimin e sigurisë kolektive të aleancës, përmes dërgimit të trupave, avionëve dhe anijeve për të mbrojtur NATO-n nga veriu në jug.

Ndërkohë, gjatë ditës së premte, Rusia dhe Bjellorusia kanë filluar stërvitjet e përbashkëta ushtarake, në kohën e tensioneve dhe shqetësimeve në pjesën e kufirit me Ukrainën.

Me mijëra trupa ruse u përfshinë në manovrat masive ushtarake që nisën në Bjellorusi, e që pritet të zgjasin 10 ditë. Pamjet e publikuara nga ministria ruse e Mbrojtjes tregonin tanke, raketa e avionë ushtarakë, në një zonë në Bjellorusi, e cila nuk u bë e ditur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *