Forcat ushtarake ruse nuk po largohen nga pozicionet e tyre në Ukrainë, vetëm po riorganizohen, ka deklaruar Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg.
Stoltenberg i bëri këto komente pas njoftimeve të Kremlinit për ulje të operacioneve ushtarake rreth Kievit, ndërsa bombardimet po vazhdonin.
Sipas tij, trysnia ruse ndaj Kievit dhe qyteteve tjera pritet të vazhdojë, duke sjellë më shumë vuajtje.
“Sipas të dhënave të zbulimit, njësitë ruse nuk po tërhiqen por po ripozicionohen. Rusia po mundohet të rigrupohet, rifurnizohet dhe të përcorcojë ofensivën e saj në rajonin e Donbasit”, tha zoti Stoltenberg në një konferencë shtypi në Bruksel, transmeton VOA.
Udhëheqësi i NATO-s tha gjithashtu se alanca nuk është e bindur se Rusia po negocion në mirëbesim në bisedimet e paqes në Stamboll.
“Kemi parë pak vullnet nga pala ruse për të arritur një zgjidhje politike. Ajo që ne shohim është sulmi i vazhdueshëm ushtarak kundër Ukrainës dhe bombardimet e vazhdueshme të qyteteve”, tha Stoltenberg.