Në 12-vjetorin e Pavarësisë, Republika e Kosovës mburret me të arriturat në sport.
Medalja e artë olimpike, medaljet në Lojërat Evropiane, në kampionate botërore e evropiane kanë bërë të gjithë që të mburren me sportistët, përkatësisht xhudistët kosovarë.
Koha.net sjell 12 prej sukseseve sportive të arritura nga garuesit që kanë prezantuar vendin pas shpalljes së Pavarësisë.
Dalja në skenë e Majlinda Kelmendit (2009)
Shumica e sukseseve të Kosovës në skenën sportive janë të lidhura me emrin e xhudistes Majlinda Kelmendi. Majlinda ka nisur me gara më herët, por në vitin 2009 depërtoi në skenën e madhe.
Titulli i parë i botës (2013)
Titullin e parë e siguroi në Rio de Janeiro të Brazilit, më 27 gusht të vitit 2013. “Këtë sukses ia kushtoj shtetit të Kosovës, trajnerit tim Driton Kuka, familjes dhe të gjithë shqiptarëve”, deklaronte Majlinda atë mbrëmje. Ajo të gjitha sukseset i ka në kategorinë deri 52 kg.
Miqësorja e futbollit me Haitin (2014)
Haiti kishte pranuar të përballej me Kosovën. Më 5 mars të vitit 2014 ndeshja e shumëpritur u luajt në Mitrovicë, në stadiumin “Adem Jashari”, të stërmbushur me 17 mijë shikues. Gola nuk kishte në ndeshje, por kishte çdo gjë tjetër.
Titulli i dytë i botës (2014)
Titullin e botës Majlinda e mbrojti në Chelyabinsk të Rusisë, më 26 gusht të vitit 2018. Derisa në Rio garoi për Kosovën, në Rusi nuk iu lejua kjo. Ajo u prezantua si garuese e IJF-së, Federatës Ndërkombëtare të Xhudos.
Debutimi i “bronztë” në Lojërat Evropiane (2015)
Lojërat Evropiane u mbajtën në Baku të Azerbajxhanit prej 12 deri më 28 qershor. Kosova dërgoi një delegacion masiv me 19 sportistë e shumë më tepër zyrtarë e drejtues. Që debutimi në skenën e madhe ndërkombëtare të jetë i suksesshëm, mundësoi xhudistja Nora Gjakova. Ajo fitoi medaljen e bronztë në kategorinë deri në 57 kilogramë.
“Pushtimi” i Rusisë (2016)
Flamuri i Kosovës u ngrit lart, himni i Kosovës u intonua, ndërsa ushtarët e Gardës Ceremoniale të Rusisë qëndronin gatitu kur ky nder po i bëhej shtetit të Kosovës. Këtë e bëri të mundur Majlinda Kelmendi. Ajo fitoi medaljen e artë në Evropianin e vitit 2016 në Kazan të Rusisë, ndërsa mijëra rusë u ngritën në këmbë për të nderuar atë, himnin dhe flamurin e Kosovës.
Suksesi më i madh – e arta olimpike e Majlindës (2016)
Më 7 gusht të vitit 2016 ajo arriti suksesin më të madh të mundshëm – medaljen e artë olimpike. Kosovës i mundësoi debutim perfekt në Lojëra Olimpike. “Nuk ka para në botë që do të mund të më bënin të ndieja këtë moment, fitimin e medaljes së artë për Kosovën. Faleminderit gjithë shqiptarëve për përkrahjen! Më vjen mirë që mund të bëj diçka për shtetin tim përmes xhudos”, kishte thënë Majlinda.
Barazimi në Turku (2016)
Kosova më 5 shtator të vitit 2016 e luajti ndeshjen e parë të saj zyrtare kualifikuese. Në Turku të Finlandës barazoi 1:1 me Finlandën. Golin e shënoi Valon Berisha në minutën e 60-të nga penalltia.
E bronzta e karatesë (2016)
Në Botërorin e mbajtur në fund të tetorit në Linz të Austrisë, Herolind Nishevci fitoi medalje të bronztë. Ai garoi në kategorinë mbi 84 kilogramë. Ndër vite karateistët kanë fituar medalje edhe në kampionate evropiane në grupmosha të reja.
Hendbollistët në Botërorin e parë (2019)
Derisa në sportet individuale pjesëmarrja në Botëror nuk paraqet sfidë, në sportet ekipore është ndryshe. Të arrish në Botëror është rezultat i jashtëzakonshëm. Kosova këtë e ka arritur vetëm një herë deri më tani. Ishte përfaqësuesja U-21 e Kosovës në hendboll që verën e kaluar u paraqit në Botërorin e juniorëve të mbajtur në Spanjë. Kosova në Botëror shënoi një fitore, ndërsa kishte edhe një barazim. Ndeshjet e tjera i humbi.
Tri medalje në një Botëror (2019)
Kosova nuk fitoi titull në Botërorin e vitit të kaluar në xhudo. Por fitoi plot tri medalje të bronzta. Numri i medaljeve bën trajnerin Driton Kuka që të vlerësojë shumë lart botërorin e 2019-s. Në Botëror në të kaluarën medalje kishte vetëm Majlinda. Vjet pos saj medalje të bronzta fituan edhe Distria Krasniqi (48 kg) dhe Loriana Kuka (78 kg). Botërori ishte mbajtur në Tokio të Japonisë në fund të gushtit.
Fushata kualifikuese për “Euro 2020”
Përkrahja për përfaqësuese ishte e jashtëzakonshme, njëjtë si kërkesa për një biletë për të hyrë në stadium. U arritën fitore të mëdha me Çekinë, Bullgarinë e Malin e Zi, ndërsa u vlerësua edhe paraqitja në udhëtim ndaj Anglisë. Një kohë Kosova vlerësohej befasi e kualifikimeve.