Tre persona kanë vdekur dhe disa të tjerë janë lënduar pas një sulmi me thikë në qytetin Nice në jug të Francës.
Siç transmeton France 24, sulmi ka ndodhur mëngjesin e së enjtes në një kishë në qendër të qytetit Nice. Rreth orës 9 të mëngjesit një mashkull ka sulmuar me thikë duke vrarë tre persona dhe lënduar disa të tjerë.
Dy nga viktimat janë vrarë brenda kishës, derisa raportohet se njërit nga ta i është këputur koka. Ndërsa, viktima e tretë ka ndërruar jetë derisa po kërkonte ndihmë në ambientet aty afër.
Policia ka arritur të plagos të dyshuarin dhe ta arrestoj, derisa identiteti i tij ende nuk është bërë i ditur.
Kryetari i qytetit Nice, Christian Estrosi, e ka përshkruar sulmin si një veprim terrorizmi, derisa ka thënë se i dyshuari kishte përsëritur fjalët “Allahu Akbar” (Zoti është i madh) derisa po arrestohej nga policia.