Kryenegociatorët e Kosovës dhe ata të Serbisë nuk kanë arritur të pajtohen për një marrëveshje të re në lidhje me tragat e veturave që futen nga njëri vend në tjetrin.
Të premten, pas takimeve të zhvilluara në Bruksel, Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për dialog, Mirosllav Lajçak, njoftoi se nuk është arritur marrëveshje.
“Sapo përfunduan takimet e sotme të kryenegociatorëve në Bruksel. Rezultatet janë të përziera. Fatkeqësisht, nuk u arrit asnjë marrëveshje për targat, por ne kemi bërë përparim në dosjet e tjera duke përfshirë energjinë”, shkroi Lajçak.
Ndërkohë, kryenegocatiori kosovar Besnik Bislimi e ka quajtur udhëtimin në Bruksel të kotë dhe tha se pala serbe nuk ka prezantuar një propozim në lidhje me çështjen e targave që sipas tij e kishin paralajmëruar.
“Pritjet kanë qenë shumë të mëdha meqë takimi ka ndodhur me kërkesë të palës serbe. Fatkeqësisht sot e pamë një sjellje shumë të çuditshme të palës serbe që thotë se kemi një ide por nuk mund ta shpalosim”, tha Bislimi, transmeton REL.
Kryenegociatori i Serbisë, Petkoviq në një deklaratë për media tha se gjatë ditës është biseduar për marrëveshjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, e cila ende nuk është implementuar.
Ai gjithashtu tha se kanë biseduar për targat si dhe për të pagjeturit, por e akuzoi Prishtinën se nuk është konstruktive në biseda.