Kosova dhe Serbia nuk kanë arritur të pajtohen për një marrëveshje të re në lidhje me targat e automjeteve që hyjnë nga njëri vend në tjetrin.
Gjatë takimeve të fundit në Bruksel, palët nuk kanë arritur marrëveshje.
“Jo, fatkeqësisht nuk mund të jap lajm të mirë. Fatkeqësisht ka zero gatishmëri nga pala serbe”, ka thënë zëvendëskryeminsitri i Kosovës, Besnik Bislimi, pas takimit me palën serbe dhe të dërguarin e BE-së për dialogun Serbi-Kosovë, Mirosllav Lajçak.
Bislimi tha se nuk ka pasur asnjë propozim nga grupet punuese, duke fajësuar Serbinë për mungesë të gatishmërisë apo përzgjedhjen e një opsioni më të preferuar, transmeton Kallxo.
Zv.kryeministri theksoi se nuk do të ketë asnjë veprim të menjëhershëm nga Kosova dhe se gjithçka do të jetë në funksion të rendit dhe ligjit.
Ndërkohë, negociatori serb Petar Petkoviq tha se në fuqi mbetet marrëveshja e nënshkruar më 30 shtator.
Marrëveshja e shtatorit të vitit të kaluar parasheh që automjetet nga dy vendet, gjatë qarkullimit në territoret e njëra-tjetrës, t’i mbulojnë me letra të bardha ngjitëse simbolet shtetërore në targa.