Gjatë kësaj jave pritet që Kosovën dhe Serbinë ta vizitoj i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.
Siç transmetnon KOHA, sipas burimeve diplomatike në Bruksel mësohet se i dërguari i BE-së me gjasë do të jetë i shoqëruar nga i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Ndonëse zëdhënësi i BE-së për çështje të Jashtme dhe të Sigurisë, Peter Stano, nuk ka dashur t’i konfirmojë datat, mediumi raporton se vizitat pritet të bëhen gjatë ditës së premte.
Qëllimi i vizitës është përgatitja e terrenit për vazhdimin e dialogut në nivel të lartë, me synim që të diskutohet edhe për propozimin franko-gjerman, i cili tashmë quhet edhe si propozim evropian, transmeton KOHA.
Ndërkohë, edhe publikisht po vazhdon presioni ndaj Kosovës për të nisur themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe ky presion vjen nga shtetet që e kanë njohur Kosovën, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermaninë, që thonë se kjo duhet të bëhet sipas Kushtetutës së Kosovës dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
I pyetur se a e mbështet edhe BE-ja krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se Kosova ka obligim ndërkombëtar dhe ajo duhet të vijë me propozimin se si të shkohet përpara me themelimin e kësaj bashkësie apo asociacioni.
“Kosova në vitin 2013 bëri një marrëveshje për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kjo marrëveshje ishte arritur me mirëkuptim me të gjitha palët e përfshira. Nuk ishte anuluar apo tërhequr asnjëherë. Ishte ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës me shumicën prej 2/3. Duke bërë këtë, Kosova mori një obligim ndërkombëtar për të zbatuar këtë marrëveshje”, ka thënë Stano.
Ai shtoi se verdikti i Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015 për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë, rregullisht është keqinterpretuar.
“Gjykata asnjëherë nuk ka thënë se Asociacioni/Bashkësia nuk duhet të themelohet, prandaj ne presim nga Kosova që të respektojë obligimet që ka marrë në dialog. I takon Kosovës që të propozojë rrugën drejt implementimit të kësaj marrëveshje”, ka thënë i BE-së, Stano.
Diplomatët në Bruksel pohojnë se nëse do të ketë mundësi, deri në fund të këtij muaji do të duhej të zhvillohej një takim i nivelit të lartë, sepse koha po shkon dhe ende nuk ka qartësi se si dhe në cilin drejtim do të shkojë dialogu.