Reshjet e pandërprera të shiut gjatë ditës së enjte kanë shkaktuar përmbytje në disa qytete dhe fshatra të Kosovës duke shkaktuar dëme materiale dhe duke detyruar autoritetet lokale të shpallin gjendjen emergjente.

Gjendje e rëndë është parë në Skenderaj, ku është vështirësuar në masë të madhe qarkullimi i veturave dhe janë rrezikuar shtëpi nga përmbytjet.

Kryetari i Komunës së Skenderajt ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në komunën e Skenderajt.

“Gjendja në Skenderaj është shumë e rëndë, shumë e rënduar është pjesa e qendrës. Një pjesë e Klinës, Llaushës, Klladërnicës, Turiqevci. Dëmet materiale janë shumë të mëdha, por ajo çfarë na intereson është që të mos kemi viktima”, ka deklaruar Amir Lushtaku nga Zyra për Komunikim me Publikun, transmeton KOHA.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar se në ditët e ardhshme pritet të ketë përkeqësim të motit.

Edhe Kryetari i Komunës së Mitrovicës ka shpallur gjendjen emergjente në këtë komunë pas vërshimeve dhe situatës së krijuar nga reshjet e shiut.

Reshjet në Komunën e Podujevës kanë vërshuar fshatra e një pjesë të qytetit të Podujevës. Të bllokuara kanë mbetur rreth 60 shtëpi të fshatit Pakashticë e Epërme të Podujevës, pasi lumi ka dalë nga shtrati dhe ka mbyllur rrugën. Kalimi në pjesën tjetër të fshatit ka qenë i pamundur me automjete të vogla. Banorët kanë thënë se kjo gjendje e rënduar është që nga mbrëmja e së mërkurës.

Dëme të konsiderueshme nga vërshimet ka patur në qytetin e Istogut. Kryetari Ilir Ferati njoftoi se ekipet emergjente janë në terren për parandalimin dhe sanimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet e shiut.

“Duke filluar nga mëngjesi i ditës së sotme jemi në teren, me mjetet që kemi në dispozicion si Komunë dhe bashkë me FSK-në, Zjarrfikësit, Policinë, Hidrodrinin, Drinin e Bardhë, e firmat private të Istogut jemi duke bërë ndërhyrjet e nevojshme në lokalitetet ku kemi gjendje të rënduar të vërshimeve. Dua të iu siguroj të gjithëve që ekipet tona emergjente do të jenë në teren në vazhdimësi për të ndërhyrë në zonat kritike dhe për të parandaluar e sanuar dëmet deri në uljen e të reshurave dhe normalizimit të situatës”, ka shkruar Ferati në Facebook, transmeton KOHA.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *