“Shpresoj të jem gabim. Instinkti im më thotë se do të luftojmë në vitin 2025”, ka shkruar gjenerali i Forcës Ajrore amerikane, Mike Miniha, në një mesazh të tij të premten për oficerët nën komandën e tij duke iu kërkuar që të fillojnë përgatitjet për një luftë me Kinën.
NBC News ka siguruar mesazhin zyrtar që Minihan u ka dërguar oficerëve , ku ai parashikon se në vitin 2025 do të ketë një përplasje mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës për shkak të Taiwanit.
Në memon e dërguar, gjenerali Minihan thekson se në vitin 2024 do të ketë zgjedhje presidenciale në SHBA dhe në Taiwan. Ai shkruan se SHBA-të do të “shpërqëndrohen” dhe se Presidentit kinez Xi Jinping do t’i krijohet mundësia për të lëvizur me qëllimet e tij ndaj Taiwanit.
Gjatë dy viteve të fundit, Kina ka fluturuar aeroplanë ushtarakë të mëdhenj afër Taiwanit. Gushtin e kaluar, ushtria kineze ndërmori ushtrime të mëdha ushtarake që përfshinë edhe lëshimin e raketave mbi Taiwan si kundërpërgjigje ndaj vizitës së Kryekuvendares amerikane Nancy Pelosi në Taipei.
Që nga demokratizimi i Taiwanit, Kina kundërshton fuqishëm çdo përpjekje të këtij vendi për të shpallur pavarësinë dhe kërkon të ketë kontrollin politik dhe juridik mbi të.
Pas publikimit të artikullit nga NBC, një zyrtar i departamentit amerikan të mbrojtjes tha se “këto komente nuk përfaqësojnë pikëpamjen e departamentit mbi Kinën”.
Javën tjetër, Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken do të vizitoj Kinën dhe do të bëhet sekretari i parë i kabinetit në administratën e Joe Biden që viziton shtetin komunist.