Fundi i mandatit të Miroslav Lajçak si ndërmjetësues i dialogut Kosovë-Serbi mund të jetë edhe përfundimi i këtij dialogu, ka thënë Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon.
Mandati i Lajçak si i dërguar i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi përfundon në prill të vitit 2024, dhe sipas Von Cramon kjo datë ‘mund të jetë’ edhe fundi i dialogut dhe që “duhet të bazohet në njohjen reciproke, e cila gjë nuk do të jetë e lehtë, por unë jam shumë optimiste për këtë çështje”.
Të mërkurën, Von Cramon iu drejtua mediave së bashku me Vladimir Bilçik, raportuesin e PE-së për Serbinë, pas seancës plenare të Parlamentit Evropian ku u miratuan rezolutat e PE-së për Serbinë dhe Kosovën.
“Raporti për Kosovën thekson nevojën e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, bazuar në njohjen reciproke, që është parakusht për vazhdimin e rrugës së të dyja palëve drejt anëtarësimit në BE. Aktualisht dialogu nuk është në agjendën e Beogradit, por edhe Prishtinës zyrtare dhe kjo është kritikuar nga shumë eurodeputetë, si dhe në raportin tonë”, tha Von Cramon, transmeton KOHA.
Von Cramon ka theksuar se ka pritje të mëdha për takimin që Lajçak duhet ta udhëheqë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
“Shpresojmë që të mbahet një takim në nivelin më të lartë politik ku do të zgjidhen disa çështje urgjente, si ajo e targave të veturave”, tha ajo, duke shtuar se Miroslav Lajçak ka mbështetjen e plotë të PE në punën e tij për këto çështje.