Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka dhënë deklaratë për media pas takimeve disa orëshe të zhvilluara të hënën në Bruksel, përfshirë takimin e përbashkët me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Vuçiq i tha gazetarëve se takimi ishte “shumë i vështirë”.
Kurti dhe Vuçiq zhvilluan të hënën takimin e radhës me ndërmjetësimin e shefit të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe të dërguarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
“Unë, natyrisht insistova në Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Mendoj se Kurti nuk ishte i gatshëm ta pranonte tani, por do të shohim nëse do ta pranojë në të ardhmen”, tha ai, transmeton REL.
Vuçiq paralajmëroi një takim të ri me Kurtin më 18 mars në Maqedoninë e Veriut.
“Me sa kam kuptuar, më 18 [mars] do të duhet të shihemi në territorin e Maqedonisë së Veriut. Në atë kohë, [shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep] Borrell do ta vizitojë rajonin”, tha Vuçiq.
Kurti dhe Vuçiq takuan edhe të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, përpara takimit të përbashkët.
Blloku evropian e ka parë takimin e sotëm mes tyre – të gjashtin me radhë – si më të rëndësishmin, sepse kësaj here, sipas burimeve në Bruksel, nuk ka pasur diskutime për menaxhimin e krizave, por për një dinamikë të re të raporteve.