Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelensky, falënderoi të martën Shqipërinë për mbështetjen ndaj Ukrainës në luftën kundër Rusisë.
Përmes një video-lidhjeje, Zelensky falënderoi Shqipërinë për mbështetjen ofruar Ukrainës dhe mikpritjen e treguar ndaj qytetarëve ukrainas të strehuar në Shqipëri.
Siç transmeton VOA, presidenti ukrainas kërkoi që Shqipëria të kufizojë tregtinë me Rusinë, të mbyllë portet e saj për anijet ruse dhe të kufizojë ardhjen e turistëve nga Rusia.
“Ju kërkoj të mbyllni portat për anijet ruse, ju duhet të kufizoni ardhjen e turistëve rusë, sepse nuk mund ta dini se kush erdhi tek ju, ndoshta vrasës apo ndoshta xhelatët e Mariopulit ose ndoshta ndonjë nga ata që po punon sot për të minuar vendin tuaj”, u shpreh Zelensky.
Disa ditë më parë, kryeministri Edi Rama e hodhi poshtë mundësinë, që ndaj turistëve rusë të aplikohet politika e vizave hyrëse.
Në përfundim të fjalës së presidentit Zelensky, deputetët shqiptarë u ngritën në këmbë duke duartrokitur.