Zjarri që shkaktoi vdekjen e së paku 45 persona në autobusin në Bullgari dyshohet se nisi në pjesën e përparme të mjetit, ka thënë një ekspert bullgar.
“Zjarri nisi nga pjesë e përparme e autobusit, pasi pjesa e mbrapme është pothuajse e ruajtur,” është shprehur Vasko Pirgov, ekspert për djegjet e brendshme të makinave.
Pirgov ka qenë një nga personat e parë që ka mbërritur në vendin e ngjarjes, bashkë me policinë dhe ekipet mjekësore.
Në orët e para të mëngjesit të së martës, në autostradën Struma në Bullgari është përfshirë nga flakët një autobus i kompanisë “Besa Trans” nga Maqedonia e Veriut, duke lënë të vdekur 45 persona dhe disa të lënduar.
Siç transmeton mediumi Fokus, eksperti bullgar Pirgov ka thënë se dyshon që shoferi i autobusit të ketë patur tuba të mbushur me naftë pranë ulëseve të para dhe ato të kenë shkaktuar shpërthimin që ka përfshirë autobusin në flakë.
Mediumi maqedonas shkruan se njëzet minuta para përfshirjes në flakë autobusi ishte ndalur në një stacion gazi, derisa Pirgov dyshon që shoferin ta ketë zënë gjumi në momentet e goditjes së pjesëve ndarëse të rrugës.