Zv. ministri i jashtëm ukrainas, Vasyl Bodnar, nuk ka pranuar të trajtoj njëjtë rastin e Kosovës dhe atë të Krimesë, duke thënë se nuk mund të bëhen paralelizime.
“Për ne nuk ka një paralele mes dy rasteve. Kjo për shkak se rasti i Kosovës është diçka dhe ai i Krimesë është diçka tjetër”, ka thënë Bodnar në një intervistë për RTV Ora.
Ai ka folur për raportet e Ukrainës me shtetin e Kosovës dhe ka lënë të kuptohet se shpejtë mund të ketë njohje.
“Ne nuk e kemi njohur Kosovën formalisht, por nëse sheh hapat tanë ka diçka. Vitin e kaluar ne morëm vendimin për të punuar me pasaportat e Kosovës. Tani ambasadori ynë këtu (Tiranë) dhe ambasadorët në vende të tjera të botës kanë marrë direktiva për t’i njohur këto pasaporta dhe për të mos limituar udhëtimet. Ndoshta duke filluar nga hapa të tillë të vegjël mund të shkojmë drejt disa rezultateve. Nuk po flas për një perspektivë të caktuar, pasi pozicioni ynë formal është pozicioni ynë formal. Pra, na duhet ta trajtojmë këtë rast në rrethanat ku ndodhemi”, tha Bodnar.