Rreth 12,000 fëmijë janë vrarë apo plagosur gjatë luftës në Siri e cila po i afrohet dhjetë viteve të saj të konfliktit.
Të dhënat e publikuara nga UNICEF tregojnë se afër 90 për qind e fëmijëve në këtë shtet janë në nevojë për asistencë humanitare, një ngritje prej 20 për qind vetëm gjatë vitit të fundit.
“Nevojat humanitare nuk mund të presin. Komuniteti ndërkombëtar duhet të bëjë çdo përpjekje për të sjell paqe në Siri dhe të nxis përkrahje për fëmijët atje”, ka thënë drejtoresha ekzekutive në UNICEF, Henrietta Fore.
Një dekadë konflikt ka patur ndikim shokues te fëmijët dhe familjet në Siri. Më shumë se gjysmë milion fëmijë nën moshën pesë vjeçare vuajnë nga rritja e dobët për shkak të kequshqyerjes kronike.
Ndër të dhënat e publikuara nga UNICEF rreth konfliktit në Siri, tregohet se afër 2.45 milionë fëmijë në këtë vend dhe 750,000 fëmijë sirian në vendet fqinje kanë mbetur jashtë sistemit shkollor; 40 për qind prej tyre janë vajza.