Më 10 qershor të vitit 2007, vizita e George W. Bush u bë e para që një president në detyrë i Shteteve të Bashkuara i bënte Shqipërisë.
Bush dhe bashkëshortja e tij, Laura, u pritën në aeroportin e Rinasit nga ministri i Jashtëm shqiptar në atë kohë, Lulzim Basha.
Presidenti amerikan në një konferencë të përbashkët me kryeministrin e atëhershëm, Sali Berisha, vlerësoi nivelin e lartë të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe SHBA-së, transmeton Top Channel.
Gjatë asaj vizite, Bush tha se SHBA-ja përkrah dëshirën e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në NATO. Ai vlerësoi lart tolerancën fetare në Shqipëri.
Gjithashtu, gjatë konferencës për media në Tiranë, Bush u shpreh për shpalljen e pavarësisë së Kosovës duke lënë në kujtesë fjalët e tij, kur tha:
“Pa vonesë, duhet të thuhet, mjaft është mjaft. Kosova është e pavarur.”
Vitin e ardhshëm, më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë e saj.