Sot bëhen 20 vite nga sulmet terroriste të kryera në Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 11 shtator të vitit 2001.
Katër aeroplanët e marrë peng u përplasën në disa lokacione duke shkaktuar vdekjen e 2,977 personave.
I gjithë personeli i aeroplanëve dhe 246 pasagjerët që gjendeshin në aeroplanë humbën jetët, derisa nga sulmi në Kullat Binjake në New York u vranë 2,606 persona që gjendeshin brenda ndërtesave. Nga sulmi në ndërtesën e Pentagonit u vranë 125 persona.
Këto sulme mbeten një nga më të rëndat e shekullit, jo vetëm për amerikanët por për gjithë botën.
Sulmet u planifikuan dhe u kryen nga al-Qaeda, kryesuar nga Osama Bin Laden.
Një muaj pas sulmeve, presidenti i atëhershëm amerikan George W Bush urdhëroi futjen e forcave ushtarake në Afganistan, mbështetur nga një koalicion ndërkombëtar, për të kërkuar dhe kapur Bin Ladenin. Ky i fundi u vra në vitin 2011 në Pakistan.