Një e dhënë rekorde është arritur në Shtetet e Bashkuara gjatë muajit nëntor, kur 4.5 milionë amerikanë lëshuan vendet e tyre të punës.

Gjithashtu, Departamenti i Punës njoftoi të martën se punëdhënësit gjatë muajit nëntor publikuan 10.6 milionë vende të lira të punës, më ulët se gjatë muajit tetor por që mbetet lartë sipas standardeve historike.

Nick Bunker, drejtor i departamentit të hulumtimeve në kompaninë Indeed Hiring Lab, e cila poston vende të hapura pune, vuri në dukje se largimet nga puna ishin të larta në industrinë e hoteleve dhe restoranteve me paga të ulëta.

“Numri i lartë i largimeve do të thotë se punëtorët kanë fuqi më të madhe negociuese, e cila ka të ngjarë të nxisë rritjen e pagave”, tha ai, transmeton AP.

“Rritja e pagave ishte shumë e fortë në vitin 2021, dhe kjo mund të ndodh edhe në vitin 2022”, shtoi ai.

Punëdhënësit punësuan 6.7 milionë njerëz në nëntor, krahasuar me 6.5 milionë të punësuar në tetor, thuhet në një raport të Departamentit amerikan të Punës, të publikar të martën mbi të dhënat mujore të tregut të punës.

Tregu i punës në SHBA po rimëkëmbet nga recesioni i shkurtër por intensiv i koronavirusit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *